0 comments

Fuqia e një pike shiu


Veshët gjejnë ekstazën, nën zhurmën e pikave të lehta të shiut në gjethet pemëve, kombinuar me tingujt e muzikës së lehtë. Aq shumë e shijoj këtë kombinim, sa që edhe kur e shkruaj ditarin, mundohem që zhurmën e krijuar nga shkrimi në tastierë të e kombinoj me gjithë këtë harmoni.
Sa do doja që edhe jeta ime të ishte e tillë! Të paktën, për një ditë të vetme.
Kjo është gjëja e parë që goditi trurin tim, i cili për një çast e largoi vëmendjen nga kombinimi i mrekullueshëm që e kaploi çdo qelizë të tij. U mundova që ta rikthej në gjendjen e qetësisë, të çlirimit të tij, por ishte e pamundshme.
Ai ishte ngacmuar nga realiteti, siç ndodh zakonisht. Realiteti e përndjek trurin ashtu si përndjeket një i frikësuar nga përbuzësit, një i dashuruar nga xhelozia, një i mashtruar nga tundimi.
Realiteti është i lidhur ngushtë me jetën, ekzistencën. Fakt i dhimbshëm, i ditur botërisht, por që kurrë s'do ketë kuptim. Në realitet çdo gjë ka kufi, dhe ky është problemi kryesor që unë, ti dhe çdo njeri ka me të. Sepse, realiteti na kufizon deri në atë masë sa ne e vendosim në pikpyetje ekzistencën tonë, duke mos pasur as fuqinë më të vogël që të përballemi me të.
E tillë është jeta ime. Çdo ditë, unë përballem me realitetin, në mënyrë që të mbijetoj. Jetoj për të mbijetuar, për shkak të këtij dreq realiteti.
Madje, aq larg ka shkuar realiteti me mua, sa edhe ëndërrat i kam me kufizime. Më krijon kaq shumë huti ky fakt, sa që nuk mbaj mend herën e fundit kur kam arritur që për të paktën një çast ta ngacmoj trurin me imagjinatë, me diçka që nuk tingëllonte normale në mendjen time.
Kjo pikë shiu, ky kombinim që e shkrova në fillim të kësaj pjese të ditarit, e arriti këtë gjë të mrekullueshme, e cila zgjati gjashtë sekonda. Për ato gjashtë sekonda, unë arrita që të jetoj të kaluarën, momentin dhe të ardhmen aq sa nuk mund të jetoja për mëse shtatë vite.
Sepse, ndonjëherë kaq mjafton.
Gjashtë sekonda, pesë minuta muzikë, katër pika shiu, tre frymëmarrje të thella, dy mbyllje të syve dhe një çast.
Mbylla fletën e ditarit, ndalova muzikën, e natyra ndali dhe shiun, në mënyrë që të luftoja denjësisht me realitetin, me shpresën se momente të tilla imagjinare do i përjetoja më shpesh, duke ditur se vetëm kështu do arrija të pamundurën - të jem në avantazh për pak sekuenca ndaj jetës.
1 comments

Dita e parë


Nuk ka njeri në botë që nuk ka nevojë të e largojë një barrë nga vetja, të rrëfehet për veprimet e tij, të ndajë vuajtjet, të i shprehë gëzimet.. Gjithmonë, me shpresë se dikush do jetë aty, për t’i dëgjuar, këshilluar, përgëzuar, përkrahur... 
Megjithkëtë, është gjithashtu në natyrën tonë që të besojmë pak, apo të mos besojmë fare. Kjo e bën disi paradoksale – kemi nevojë për të tjerët, por s’u besojmë që t’i kemi.
Për këtë shkak lindën ditaret. Të paktën, kjo është teoria ime, përceptimi im. Ditari jemi vet ne. Me idenë se nëse shkruajmë në të ne do të arrijmë që të krijojmë një mik të ri, që ta mposhtim vetminë, për të cilën njerëzit ankohen pafundësisht, ne në fakt krijojmë baza të forta për vetmi. Sepse, ai ditar, është një thesar i vetvetes, për vetveten. I krijuar për të larguar barrën që krijon truri ynë, që një ditë ta godasë vet atë, si protagonist. Dhe, këtu mbaron. Të paktën për veten, duke mos e llogaritur se një ditë, ai mund të bie në duar të një njeriu tjetër. Kjo gjë, do ishte vdekje për veten, pasi e gjithë ideja e ekzistimit të ditarit dhe atij thesari është se askush asnjëherë nuk ka të drejtë ti qaset, pos krijuesit. Mposhtja e kësaj ideje të përgjithshme është synimi im kryesor. Unë dua që të shkruaj një ditar dhe ta ndaj atë, me këdo që i bie rruga këtej. Sepse, unë vlersoj se ditari për unin është i pamjaftueshëm. Unë dua që të ndaj gjithë atë që ndjej me botën, me njerëzit, të cilët me të vërtetë do më dëgjojnë, këshillojnë, përgëzojnë, përkrahin, kritikojnë...
Për një udhëtim të mbarë të përbashkët, gëzuar, lexues i ditarit tim!  
 
;