Fuqia e një pike shiu


Veshët gjejnë ekstazën, nën zhurmën e pikave të lehta të shiut në gjethet pemëve, kombinuar me tingujt e muzikës së lehtë. Aq shumë e shijoj këtë kombinim, sa që edhe kur e shkruaj ditarin, mundohem që zhurmën e krijuar nga shkrimi në tastierë të e kombinoj me gjithë këtë harmoni.
Sa do doja që edhe jeta ime të ishte e tillë! Të paktën, për një ditë të vetme.
Kjo është gjëja e parë që goditi trurin tim, i cili për një çast e largoi vëmendjen nga kombinimi i mrekullueshëm që e kaploi çdo qelizë të tij. U mundova që ta rikthej në gjendjen e qetësisë, të çlirimit të tij, por ishte e pamundshme.
Ai ishte ngacmuar nga realiteti, siç ndodh zakonisht. Realiteti e përndjek trurin ashtu si përndjeket një i frikësuar nga përbuzësit, një i dashuruar nga xhelozia, një i mashtruar nga tundimi.
Realiteti është i lidhur ngushtë me jetën, ekzistencën. Fakt i dhimbshëm, i ditur botërisht, por që kurrë s'do ketë kuptim. Në realitet çdo gjë ka kufi, dhe ky është problemi kryesor që unë, ti dhe çdo njeri ka me të. Sepse, realiteti na kufizon deri në atë masë sa ne e vendosim në pikpyetje ekzistencën tonë, duke mos pasur as fuqinë më të vogël që të përballemi me të.
E tillë është jeta ime. Çdo ditë, unë përballem me realitetin, në mënyrë që të mbijetoj. Jetoj për të mbijetuar, për shkak të këtij dreq realiteti.
Madje, aq larg ka shkuar realiteti me mua, sa edhe ëndërrat i kam me kufizime. Më krijon kaq shumë huti ky fakt, sa që nuk mbaj mend herën e fundit kur kam arritur që për të paktën një çast ta ngacmoj trurin me imagjinatë, me diçka që nuk tingëllonte normale në mendjen time.
Kjo pikë shiu, ky kombinim që e shkrova në fillim të kësaj pjese të ditarit, e arriti këtë gjë të mrekullueshme, e cila zgjati gjashtë sekonda. Për ato gjashtë sekonda, unë arrita që të jetoj të kaluarën, momentin dhe të ardhmen aq sa nuk mund të jetoja për mëse shtatë vite.
Sepse, ndonjëherë kaq mjafton.
Gjashtë sekonda, pesë minuta muzikë, katër pika shiu, tre frymëmarrje të thella, dy mbyllje të syve dhe një çast.
Mbylla fletën e ditarit, ndalova muzikën, e natyra ndali dhe shiun, në mënyrë që të luftoja denjësisht me realitetin, me shpresën se momente të tilla imagjinare do i përjetoja më shpesh, duke ditur se vetëm kështu do arrija të pamundurën - të jem në avantazh për pak sekuenca ndaj jetës.

0 comments:

Post a Comment

 
;